Çdo gjë që qëndron ka një rrënjë që nuk shihet. Dhe ndoshta aty qëndron sekreti i ekuilibrit: te aftësia për të përmbajtur kundërtat, ndërtimin dhe rrënimin, lindjen dhe vdekjen, pa i ndarë. Rrënjët nuk zgjedhin, vetëm mbajnë. Dhe mbajtja e tyre është një lloj mençurie. Poshtë tokës, në heshtje, rrënjët mbajnë gjithçka: dritën dhe hijen, vreren dhe mjaltin, fillimin dhe fundin. Kjo është poezia e tyre.

Realiteti shqiptar nuk fshihet nën tituj gazetash. Ai jeton në kuzhinat e vogla, në dyert e mbyllura, në heshtjen e atyre që kanë mësuar të durojnë. “Net pa mbarim” është një vështrim i ndershëm mbi këtë jetë: mbi mundimin e përditshëm, mbi pabarazinë që prek familjet dhe mbi pyetjen që e mbajnë në gjumë shumë njerëz, kur do të vijë agimi?

Sa herë që marrim çelësat për të dalë nga shtëpia, mbajmë në dorë edhe një fjalë që rrallë e ndalim për ta menduar: kulturë. Është një temë e rrahur, e shqyrtuar nga shumë studiues, por unë po e shoh jo nga lindja apo trashëgimia, por nga dy pyetje të thjeshta që lindin vetvetiu: a ka mungesë kulture, apo ka frikë nga kultura? Në pamjen e parë mund të duken pa vend. Në këtë cikël shkrimesh do të përpiqem të tregoj pse nuk janë të tilla.

Ka çaste kur njeriu ndalet në mes të rrugës dhe e pyet veten: nga vij, çfarë mbaj mbi shpatulla, çfarë mbeti nga drita që dikur rrezatoja? Kjo nuk është bisedë e zakonshme. Është një e folur e ulët, midis meje dhe asaj që kam qenë, midis plagëve që i lëpiva vetë dhe fillit që nuk u këput kurrë. Le ta dëgjojmë këtë zë, sepse mund të jetë zëri i shumëkujt prej nesh.

Ndoshta honet nuk janë fundi i rrugës, por pjesë e saj. Ne i frikësohemi, i anashkalojmë, përpiqemi t’i mbushim me zhurmë, por pikërisht aty njeriu takon veten më të vërtetë. “Honeve të jetës” është një bisedë me atë thellësi: me dhimbjen që na ndryshon, me humbjen që na mëson dhe me shpresën që, kur gjithçka duket e shuar, gjen prapë një çarje për të hyrë.

Ka çaste kur qyteti të flet më shumë se çdo libër. Mjafton të ecësh ngadalë dhe të shohësh me sy të hapur: çdo cep fsheh një përplasje të heshtur midis dritës dhe hijes, mes asaj që është ndërtuar me kujdes dhe asaj që është hedhur pa mendim. Dhe pikërisht aty, në këtë ndarje të brishtë, fillon pyetja që nuk më lë rehat: a mund të ekzistojë e bardha pa të zezën, apo vetëm përmes saj ajo mësohet të ndriçojë?!

Tek romani “Takim tek Shkëmbi i Bufit”, ishin po dritëhijet e shfaqura thekshëm, për më tepër ky popull vital diti të ruajë ato që janë quajtur e do të mbeten vlera.

Eksperimentet që u bënë mbi trupin dhe shpirtin e këtij populli e vonuan demokracinë, por kurrë nuk e shpërfytyruan këtë popull.

Tregimet e tri femrave,”Vraga të pashlyeshme” ngjarje që tregohen nga tri shoqe plus një… që zgjedh mënyrë të veçantë të të treguari , nuk ka ndër mend të zbehë arritjet, përkundrazi, duke përmirësuar ato të errëtat që trumbetohen qëllimisht dashakeqe, do të jemi më shpejt e me merita tek elita qytetare botërore.
Busulla tregon drejtimin e duhur. Kursi është drejt qytetarisë. Dallgët duhet t’i përballojmë së bashku.
Ju falenderoj që një pjesë nga koha juaj e çmuar ma kushtuat mua.

Pin It on Pinterest

Share This