PËR TY

Ç’nuk thashë e ç’nuk bëra unë për ty!
Se të doja, u betova,
për tokë e qiell e për sy.
Flisja dhe heshtja,
jetoja e vdisja sa për dy.
Kur të hidhte dallga, acar a zheg,
dhe unë aty.
“Në afshin e përvëlimit gatova dashurinë”
Yjet i zbrita në tokë të të sillnin lumturinë.
Thirra flladin e këngë zogjsh
për tënden qetësinë.
U bëra gurrë, ujëvarë e degë e thantë për ty,
Kanarinë.
Kur s’të kisha pranë,
për sytë e tu yjet numëroja gjithë natën.
Për të të arritur ty,
distancat me milimetra u matën.
Kur të prisja ty,
nuk ndieja ngricën, as vapën.
Dyert e zemrës e të shpirtit
dykanatësh u hapën.

Vesës, zogut, fushës, malit,
u kërkoj ndjesë.
Apostrofit, simbolit, krahasimit e metaforës
ndjesë.
I rrita e zvogëlova, për ty i përdora,
o krijesë!
Ti, që veten dhe Zotin,
e quan sajesë.

Pin It on Pinterest

Share This