“ …Na vure një natë në gjumë,
me një sapllak dhallë të dhirtë,
në mëngjes kusia me rrëpica
e një grusht misër zier…”
… Heshta pak, pastaj fola me buzën që më dridhej:
– Poeti grek N. Brettakos thotë: “Thellë, shumë thellë, letërsia dhe poezia në veçanti, janë zemra e një njeriu, e cila është e mbushur plot e përplot me të gjithë botën…”
Kjo ishte jeta jonë e gjashtëdhjetë – shtatëdhjetë viteve më parë. Ishim shumë fëmijë në familje, thuajse të gjithë punonim në kooperativën bujqësore, edhe pse fëmijë, por varfëria ishte ulur këmbëkryq në shtëpitë tona… Atë natë nuk kishim bukë, as lekë… Le që edhe po të kishe lekë, nuk kishte ç’të blije… Kishte mbetur pak kos dhie, (se kishim një dhi të mirë, që jepte tri litra qumësht), që të merrnin të gjithë, i duhej hedhur ujë. Dhalli sot përdoret pas ushqimit të bollshëm për ta tretur atë, por ne e përdorëm për të mbushur barkun bosh… Ne fjetëm, por Nëna jo…
Ditën, kur punonte në arë, kishte mbledhur lakra të egra, i zieu ato dhe për të mos u sëmurur ne, por edhe për t’i “lidhur” si përdorej nga amviset tona, zieu edhe ca misër që e kishim hequr për farë, e në mëngjes na i dha…Pa gjumë nuk e la puna, por më shumë halli.